Unë jam Bora Muzhaqi.

Kam lindur në Elbasan më 11 Mars 1990. Rrugëtimi im akademik ka qenë sa i bukur aq edhe sfidues, duke e nisur me shkollën fillore Naim Frashëri në Elbasan, me Kolegjin “Turgut Ozal” në Tiranë ku fitova të drejtën e studimeve dhe mbështetjen e një burse, për të vazhduar më tej me sfidën time më të madhe akademike, atë të studimeve në Angli, ku përfundova gjimnazin Cambridge Arts and Sciences dhe më pas, fal rezultateve të larta, arrita të pranohem në një nga universitetet më prestigjove jo vetëm në Angli, por edhe në rang botëror, në London School of Economics. Studimet në nivel Master i kam përfunduar në Hults International Business School, ku edhe u përzgjodha për një bursë për Drejtuesit e Rinj të së ardhmes.

Pas përfundimit të studimeve,

gjendur mes dy zgjedhjeve shumë të vështira, atë të krijimit të karrierës dhe jetës në Mbretërinë e Bashkuar apo rikthimit në Shqipëri, zgjodha të dytën. Pas disa përpjekjesh dhe aplikimesh, arrita të pranohem në një kompani ndërkombëtare si PriceWaterhouse Cooper, duke i ngjitur një nga një shkallët e karrierës brenda një sistemi shumë rigoroz. Vijova eksperiencën në fushën e konsulencës së taksave pranë Ernst & Young dhe më pas guxova t’i përgjigjem thirrjes së BERZH për t’u angazhuar si mbështetëse në Kabinetin e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Pas një procesi tejet rigoroz, i’a dola të përzgjidhem dhe sot vazhdoj angazhimin tim në mbështetje të biznesit dhe sipërmarrjeve të reja.

Pata fatin të drejtoj procesin e hartimit të një ligji për startup-et inovative dhe gjithë puna në këtë drejtim më bëri të kuptoj se kjo është fusha ku unë do të doja të përqëndrohesha në të ardhmen. Në ndihmë të biznesit, në ndihmë të sipërmarrjes dhe në mbështetje të të rinjve të cilët kanë ide dhe dëshirë për të sjellë në zbatim projekte inovative.

Nga maji 2021, mbajta postin e Zëvëndës Ministër Rinie pranë Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit ku angazhova që ditën e pare për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Rininë 2022-2029, si dhe fuqizimin e të gjithë të rinjve shqiptarë anembanë vendit.

Në shtator 2021, në kabinetin e ri Rama 3, u krijua institucioni më i ri në linjë me prioritetet e qeverisë për fëmijët dhe të rinjtë, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. Ndihem e privilegjuar të jem e para që mbaj këtë detyrë të rëndsishme dhe me përgjegjësi për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Në këtë kabinet qeveritar, Impenjimi im i përditshëm është për të ofruar më shumë mundësi për fëmijët dhe të rinjtë e vendit tone.