Nismat e mia

STRATEGJIA KOMBËTARE E RINISË 2022-2029

Nisur nga mungesa e një dokumenti strategjik të mirëfilltë që përcakton prioritetet dhe orienton politikat publike në mbështetje dhe zhvillimin e rinisë shqiptare, kemi ndërmarr nismën për përgatitjen e të parës strategji kombëtare për rininë në vend, me shtrirje shtatëvjeçare në përputhje me modelin e Strategjisë Europiane për Rininë.

Gjatë periudhës Shtator 2021- Janar 2022, kemi  realizuar  turin e parë konsultativ me qëllim identifikimin e problematikave dhe sfidave që duhet të përfshihen në Strategjinë Kombëtare të Rinisë, ku kanë marrë pjesë mbi 1200 të rinj të shkollave të mesme dhe universiteteve, përfaqësues nga  45 organizata rinore dhe/ose për të rinj, 61 përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Gjatë periudhës Shkurt-Prill 2022, kemi vijuar me përgatitjen e draft dokumentit të Strategjisë në përputhje me prioritetet dhe objektivat e identifikuara gjatë fazës së parë. Draft Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029 konsultua me afro 200 të rinj nga e gjithë Shqipëria në eventin e mbajtur në Qytezën e Fëmijëve në Korçë, më datat 19-20 mars 2022.

Strategjia Kombëtare e Rinisë synon bashkërendimin dhe zbatimin e politikave ndërsektoriale për rininë duke filluar nga punësimi dhe arsimi, mbrojtja e shëndetit dhe mbrojtja sociale, kultura, artet, zejet, sporti dhe vullnetarizmi, inovacioni dhe teknologjia, si dhe rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset demokratike dhe vendimmarrjen politike.

Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022- 2029 përfshin 3 qëllime, 9 objektiva specifike, 43 masa dhe 143 aktivitete,  i cili është ndarë me të gjitha palët e interesit për komentet e tyre.

Qëllimi i politikës 1 është fuqizimi i organizimit rinor dhe rritja e pjesëmarrjes rinore, qëllimi i politikës 2 është novacioni, edukimi, autonomia, drejtësia si barazi, dhe qëllimi i politikës 3 është mirëqënia dhe përfshirja.

Ndër masat e propozuara në këtë strategji mund të veçojmë:

  • Forcimin e mekanizmave në nivel qendror dhe vendor për të garantuar pjesëmarrjen dhe konsultimin e të rejave dhe të rinjve në vendim-marrje.
  • Fuqizimin e roleve zbatuese, koordinuese, monitoruese të AKR-së.
  • Krijimin e një baze të dhënash statistikore dhe studimore për rininë në Shqipëri përmes forcimit të kërkimit shkencor rreth rinisë.
  • Nxitja e programeve të punësimit të të rinjve dhe zgjerimi i skemës së praktikave kombëtare të punës.
  • Promovohet përdorimi i sigurt i teknologjive të reja dhe mbështetet përvetësimi i aftësive dhe kompetencave digjitale të shekullit të 21-të për të rinjtë përmes zhvillimit të projekteve dhe nismave novative që mbështesin të rinjtë në pikat kritike të zhvillimit.

 

  • Mbështeten dhe zhvillohen programe të seksioneve sportive amatore, arteve, artizanatit dhe aktiviteteve të tjera jashtë-kurrikulare që synojnë zhvillimin e aftësive për jetë të shëndetshme, me fokus të veçantë tek të rejat.
  • Nxiten punët e denja dhe të përshtatshme për të rejat dhe të rinjtë. Politikat e punësimit respektojnë dhe kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës të pranueshme e të orientuara nga të rinjtë dhe sigurohet njëkohësisht qasja në informacionet mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e punësimit.
  • Mbështetet ndërtimi, riparimi dhe rinovimi i hapësirave publike të projektuara për të rinjtë.
  • Zhvillohen shërbime të reja dhe forcohen ato ekzistuese në shkolla dhe me cilësi të garantuar që ofrojnë mbështetje për shëndetin mendor dhe psikologjik, si edhe mbështeten shërbimet online të shëndetit mendor në platformën për rininë.

Drafti Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022- 2029 është në fazë finalizimi në përputhje me kuadrin strukturoror dhe standardet e sistemit IPSIS dhe pas konsultimit publik, dokumenti strategjik dhe plani veprimit për zbatimin e tij do të paraqiten për miratim në Këshillin e Ministrave.  Strategjia pritet të miratohet në tremujorin e tretë të vitit 2022.

 

PROGRAMI KOMBËTAR I PRAKTIKAVE TË PUNËS

Thirrja VI

 

Procesi i aplikimit filloi më datë 9 korrik 2021 dhe përfundoi më datë 31 korrik 2021, për të gjithë të diplomuarit e moshës 21-26 vjeç. Pas praktikave 3-mujore që u zhvilluan më 16 gusht – 16 nëntor 2021, 572 të rinj përfunduan praktikën e punës. Nëpërmjet kësaj praktike pune, 196 të rinjve me performancën më të mirë, iu mundësua kontratë 1-vjeçare pune me institucionin ku kanë zhvilluar praktikën e punës. Përveçse një eksperiencë shumë e vlefshme për zhvillimin e  aftësive profesionale, akademike dhe personale, praktika e punës iu vlen të rinjve pjesëmarrës edhe si përvojë e njohur pune në çdo aplikim të mëtejshëm.

 

Thirrja VII

 

Oferta e thirrjes VII është zgjeruar duke përfshirë shoqëri tregtare dhe organizata të shoqërisë civile me qëllim zgjerimin e ofertës së kësaj praktike pune për të rinjtë gjatë vitit 2022. 

 

 

 

Procesi i aplikimit filloi më datë 1 korrik 2022  dhe do të zgjasë deri më 31 korrik 2022, ndërkohë që kohëzgjatja e praktikave planifikohet të jetë për 3 mujore nga  12 shtator 2022 deri më 12 dhjetor 2022. Pas përfundimit të programit, të rinjtë e vlerësuar me performancën më të mirë, në varësi edhe të pozicioneve të ofruara, do të lidhin kontratat e punësimit 1-vjecare pranë institucioneve përkatëse.

 

Aplikimi mund të kryhet në https://praktika.riniafemijet.gov.al

 

 

 

 

PROGRAMI I KODIMIT PËR FËMIJËT E KLASAVE I

Zhvillimi i kompetencës digjitale vlerësohet si një aftësi e një rëndësie të lartë për tregun e sotshëm të punës dhe zhvillimin e njohurive kompjuterike dhe aftësive të mendimit kritik për fëmijët dhe të rinjtë. Aktualisht lënda e Teknologjisë së Informacionit në arsimin parauniversitar kryesohet nga mësime teorike dhe përjashton klasat e arsimit fillor. 

 

Në përmbushje të kompetencave të tij për zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijës në shkollë, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike kemi ndërmarrë ndryshimin e programit të TIK në klasën e I.

 

Ky program ka si qëllim ndërtimin e 100 laboratorëve kompjuterike 100 shkolla fillore të vendit, sigurimin e ekspertizës kombëtare dhe ndërkombëtare për hartimin e kurrikulës TIK për klasat I, II dhe III të shkollave fillore publike, trajnimin e mësuesve të TIK-ut për katër vite dhe prokurimin e platformës online për të mbështetur mësimdhënien. 

 

Objektivi është që kodimi në klasë të parë të fillojë në 100 shkolla të shpërndara në Republikën e Shqipërisë në vitin shkollor 2022-2023 dhe të shtrihet në gjithë shkollat fillore të vendit brenda viteve të ardhshme.  

 

 

 

 

PROGRAMI I EKIPEVE SPORTIVE

Së bashku me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqipëtar, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bashkitë respektive, Drejtoritë Arsimore rajonale dhe vendore, kemi ndërmarrë zbatimin e programit të ekipeve sportive në volejboll dhe basketboll për vajza dhe djem, për arsimin parauniversitar dhe atë universitar.

Ky projekt ka si qëllim përfshirjen e rreth 14,000 vajza dhe djem, të cilët aktualisht ndjekin studimet në shkollat 9-vjecare, gjimnaze dhe universitete. Në kuadër të këtij programi nën drejtimin e KOKSH janë parashikuar të realizohen kampionate në 12 qarqe gjatë periudhës shtator- dhjetor 2022, dhe kampionate kombëtare në vitin 2023.